Prej sot, me datën 11 tetor 2021, në Gjermani janë futur rregulla të reja për teste dhe karantinime, për personat që udhëtojnë në vende të rrikuara. Këto rregulla prekin edhe udhëtarët shqiptarë që shkojnë në vendlindje për pushime. Instituti Robert Koch ka përpiluar listën më të re të vendeve me rrezikshmëri të lartë, e cila po ashtu është futur në fuqi sot. Ndërsa në fakultete kanë filluar ligjëratat, për herë të parë pas një viti e gjysmë me prezencë.
Testet dhe karantinimi
Instituti Robert Koch ka përpiluar listën më të re të vendeve të rrezikuara. Në listë janë futur ndër tjerash edhe Estonia, Letonia, Ukraina dhe disa vende të tjera. Ndërsa nga lista janë larguar disa pjesë të Francës, Norvegjisë, Kazakistani, Azerbajxhani…
Por në listën e vendeve të rrezikuara kanë mbetur Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, ku udhëton numri më i madh i shqiptarëve për pushime. Kjo do të thotë se personat që nuk janë vaksinuar apo nuk janë shëruar nga Covid-19, kur të kthehen në Gjermani duhet të kenë teste PCR apo antigjene dhe duhet të futen në karantinim 10-ditor. Pas pesë ditësh mund të shkurtohet karantinimi, nëse bëhet një test dhe testi rezulton negativ. Personat e vaksinuar apo shëruar nga Covid-19, nuk kanë nevojë për teste e karantinime.
Prej datës 11 tetor në Gjermani më nuk do të ketë teste antigjene pa pagesë, për personat që nuk duan të vaksinohen. Pa pagesë janë vetëm testet për fëmijë dhe personat që nuk mund të vaksinohen për shkaqe shëndetësore. E çmimet e testeve janë prej 15 deri në 20 euro, e në disa vende edhe më shtrenjtë.
Po ashtu prej sot, landi Renania Veriore-Vestfalia (NRW) ka futur rregullin që – personat sa janë na karantinë të mos paguhen nga shteti. E në të gjithë Gjermaninë, ky rregull do të futet në fuqi deri me 1 nëntor.
Fillimi i semestrit për studentët
Në Gjermani ka filluar sot semestri i ri për studentët. Pas një viti e gjysmë mësimi online, për herë të parë hapen dyert e fakulteteve dhe shkollave të larta edhe për mësim me prezencë. Varësisht nga landet dhe fakultetet, mësimi lejohet me prezencë, por duke respektuar rregullat sipas sistemit 3G, pra për studentët e vaksinuar, shëruar apo të testuar.