Thaçit, Krasniqit dhe Selimit i lejohet apelimi i pjesshëm

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka vendosur që Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit t’u lejojë apelimin e vendimeve për disa çështje ku ata pretendojnë se ka pasur shkelje ligjore.

Vendimi është publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale. Selimit i lejohet apelimi për çështjet tre deri në gjashtë, si dhe çështjen shtatë të aktakuzës.

Cani Travel

Jakup Krasniqit i lejohet apelimi për çështjen e parë, të dytë, pestë, gjashtë, shtatë, nëntë dhe dhjetë, si dhe çështjen e tretë dhe katërt, që mbrojtja ka ngritur.

Ndërsa Hashim Thaçit i lejohet apelimi nga çështja e tretë në të gjashtën, si dhe nga e nënta deri në të pesëmbëdhjetën, bën të ditur “Betimi për Drejtësi”.Gjykatësi paraprak ka refuzuar që të japë leje për apelim për çështjen e parë dhe të dytë të Selimit, për çështjen e tetë të Krasniqit, si dhe për çështjen e parë, dytë, shtatë dhe tetë të Thaçit.

Me 9 nëntor 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.