TI: Kosova ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit

Kosova ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, por ende nuk e ka nën kontroll këtë dukuri“, thuhet në raportin e organizatës ndërkombëtare, Transparency International (TI), për vitin 2022. Kosova në Indeksin e sivjetmë të Perceptimit të Korrupsionit radhitet në pozitën numër 84 me 41 pikë, apo dy më shumë se vitin e kaluar.

“Kosova ka bërë përparim me një kornizë të përmirësuar ligjore për financimin e fushatave politike dhe zgjedhore, por zbatimi i këtyre reformave do të jetë kyç në muajt e ardhshëm”, thuhet në raport. “Qeveria duhet ta përmirësojë ende transparencën dhe të përmbahet nga çdo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”, thekson Transparency International.

Cani Travel

Edhe pse vitin e kaluar nuk kanë dalë në dritë skandale të korrupsionit, kjo, sipas vlerësimeve të TI, nuk do të thotë se korrupsioni është nën kontroll. “Shpenzimet e ulëta buxhetore për investime kapitale në vitet e fundit kanë reduktuar mundësitë për korrupsion në shpërndarjen e kontratave publike – gjë që ka qenë problem në të kaluarën”, thuhet në raportin e Transparency International.

Sipas kësaj organizate, rajoni i Ballkanit Perëndimor në përgjithësi “është i njohur për rezistencën e ulët ndaj krimit të organizuar”. Përveç Kosovës, përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit kanë bërë edhe Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Kroacia është vlerësuar me 50 pikë, tri më shumë se vitin e kaluar; Maqedonia e Veriut me 40 pikë, një më shumë se vitin e kaluar, dhe Shqipëria me 36 pikë, po ashtu një më shumë se vitin e kaluar.

Në krye të listës së organizatës Transparency International janë Danimarka dhe Finlanda, me 90 pikë, përkatësisht 87, ndërsa në fund radhiten Siria me 13 pikë dhe Somalia me 12 pikë.