Në Tiranë mbahet Samiti i III-të i Diasporës ku janë mbledhur përfaqësues të lartë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe mbi 2 mijë bashkatdhetarë nga diaspora.
Sot në Tiranë vazhdon punimet Samiti i tretë i Diasporës. Në këtë ditë janë paraparë disa aktivitete, të gjitha këto po mbahen nën përkujdesjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili bashkë me ministrin për Evropën dhe punë të jashtme, Igli Hasani do të presin edhe sot shumë mërgimtarë në Pallatin e Kongreseve.
Do të ketë një seancë plenare, ku janë të ftuar edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Poashtu, një fjalë të shkurtër sipas agjendës është paraparë ta ketë edhe Z. Talat Xhaferi – Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, I cili vjen me Z. Bujar Osmanin, ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Do të flasë edhe z. Ali Ahmeti – Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim i Maqedonisë së Veriut, pastaj Z. Nik Gjeloshaj – Zv/Kryeministër për Politikat Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi , z. Shaip Kamberi – Deputet në Kuvendin e Serbisë/Kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, Preshevë. Do të ketë një fjalë edhe z. Mark Gjonaj – Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, që vjen nga SHBA. Ndërsa Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bajram Begaj e mbyll Seancën Plenare të ditës së sotme.
Qeveria e Shqipërisë i ka kushtuar kujdes të veçantë në këtë nëntor arbëreshëve. Dita e arbëreshëve që dje ishte me shumë aktivitete, kishte mbledhur në Tiranë shqiptarë nga e gjithë bota. Kishte përfaqësues të rajoneve italiane ku shtrihet komuniteti arbëresh: Puglia, Calabria, Basilicata, Abruzzo, Sicila, Molise dhe Campania.
Kryeministri Edi Rama, në seancën plenare, ku u ndanë edhe çmime, i cilësoi arbëreshët si thesar i paçmuar. Ai shprehu zotimin për t’u angazhuar më fort dhe për të gjetur rrugë të reja që do të duhet të përshkojnë, që kjo pasuri të trashëgohet, të ruhet dhe zhvillohet me dashuri dhe përkushtim për brezat që do vijnë.
(RTK)