Tiranë: Mbahet Samiti për Ukrainën

Në Tiranë mbahet sot Samiti Ukrainë – Europa Juglindore, ku merr pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Ai arriti mbrëmë në Tiranë, e sot u takua me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Samiti në Tiranë mbahet vetëm disa ditë pas dyvjetorit të fillimit të agresionit rus në Ukrainë. Në këtë takim do të jenë të pranishëm edhe disa nga zyrtarët më të lartë të Brukselit, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore.

Cani Travel

Kjo është vizita e parë e presidentit të Ukrainës në Shqipëri dhe një nga të paktat vizita që Zelensky ka zhvilluar jashtë vendit që nga nisja e luftës me Rusinë dy vjet më parë.

Para fillimit të Samitit të Tiranës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë një postim në platformën X, ku shkruan:

„Sot punoj në Tiranë. Do të takoj mikun e palëkundur të Ukrainës, kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe do të marr pjesë në Samitin Ukrainë – Evropë Juglindore. Në bisedimet tona dypalëshe me kryeministrin dhe ekipin e tij, do të diskutojmë bashkëpunimin në mbrojtje dhe politik, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe marrëveshjet e sigurisë. Shqipëria është një nga vendet që ka nënshkruar Deklaratën e Vilniusit të G7, të cilën ne e vlerësojmë shumë.

Ne do të diskutojmë rrugën tonë të përbashkët drejt qëllimit euroatlantik në Samitin Ukrainë – Evropë Juglindore, i cili tashmë po mbahet për herë të dytë. Unë do të propozoj mbështetjen e përpjekjeve të Ukrainës për të arritur paqen e drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe organizimin e Samitit Global të Paqes në Zvicër. Do të zhvilloj edhe bisedime dypalëshe me pjesëmarrësit e samitit“, shkruan Zelensky.

Samiti në Tiranë mbahet nën masa të rrepta sigurie. Në këtë takim merr pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.