Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi sot edhe zyrtarisht që Shqipëria dhe Serbia të jenë organizatore të Kampionatit Evropian U-21 në vitin 2027. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) e mirëpriti vendimin e sotëm.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi: “Ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga UEFA, sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli. Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë“, thotë Duka. Ai shtoi se ky do të jetë eventi më i madh sportiv në historinë e Shqipërisë.
Mirëpo, propozimi, e tani edhe vendimi i UEFA-s që Shqipëra dhe Serbia të jenë organizatore të këtij kampionati është kritikuar më parë nga shqiptarët anembanë botësm për shkak të së kaluarës mes dy popujve.
Ideja e organizimit të përbashkët të kampionatit nuk është pritur mirë nga grupet e tifozëve në Kosovë por edhe në Shqipëri, ku ka pasur reagime negative.
Tifozët Kuq e Zi, në reagimin e tyre në maj të vitit të kaluar kanë theksuar se „Serbia, përveç krimeve dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve është dënuar në disa raste nga UEFA për tifozët e saj racistë e të dhunshëm.“