Të dhënat e UNICEF për varfërinë ushqimore të fëmijëve në Shqipëri janë alarmante. Botimi i fundit “Varfëria ushqimore në fëmijërinë e hershme” tregon se Shqipëria ka 18% të fëmijëve poshtë 5 vjeç të privuar rëndë nga dieta ushqimore dhe 29% e fëmijëve janë në varfëri të moderuar (Total 47%). UNICEF kategorizon si privim të rëndë ushqimor fëmijët që ushqehen me dy ose me pak lloje ushqimesh në ditë, ndërsa me varfëri të moderuar ato që ushqehen me më pak se 4 lloje ushqimesh.
Krahasimi global i UNICEF tregon se Shqipëria ka përqindjen më të lartë të fëmijëve që jetojnë në varfëri në Europë dhe Azinë Qendrore, pas Taxhikistanit.
Në renditjen globale, Shqipëria pozicionohet shumë keq me varfërinë e fëmijëve, duke lënë pas edhe vende që kanë kaluar luftëra si Iraku dhe vende afrikane si Kenia, Çadi, Ruanda etj.
UNICEF vlerëson se varfëria ushqimore dëmton të gjithë fëmijët, por është veçanërisht e dëmshme në fëmijërinë e hershme, kur ushqimi i pamjaftueshëm mund të shkaktojë dëme si në rritjen fizike dhe në aftësitë e zhvillimit mendor. Pasojat mund të zgjasin gjatë gjithë jetës.
(Monitor)