Vdes presidenti iranian pas rrëzimit të helikopterit

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, dhe shoqëruesit e tij, përfshirë ministrin e Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian, janë gjetur të vdekur në vendin ku u rrëzua helikopteri tyre në veriperëndim të Iranit.

Televizioni shtetëror i Iranit raportoi më 20 maj se helikopteri u rrëzua si pasojë e motit të keq.

Cani Travel

Mediat shtetërore njoftojnë se kabineti i Raisit është duke e mbajtur një takim emergjent.

Sipas ligjit iranian, nëse vdes presidenti, atëherë pushteti i kalohet zëvendëspresidentit të parë. Një këshill, i përbërë nga kryetari i Parlamentit, kryetari i Gjyqësorit dhe nga zëvendëspresidenti i parë, duhet ta organizojë emërimin e presidentit të ri brenda 50 ditësh.

Mohammad Mokhber është zëvendëspresidenti i parë i tanishëm i Iranit.

Presidenti i ndjerë, Ebrahim Raisi u zgjodh president në vitin 2021 dhe prej atëherë i kishte ashpërsuar kufizimet ndaj iranianëve, përmes zbatimit të detyrueshëm të ligjeve të moralit dhe përmes një lufte të përgjakshme kundër protestave antiqeveritare, të cilat ishin nxitur nga vdekja e Mahsa Aminit në paraburgimin policor për gjoja shkeljen e ligjit për bartjen e shamisë së kokës.