Vogel: Takimi Kurti-Vuçiq – vetëm „performancë“ e BE-së

Nesër, më 26 qershor në Bruksel mbahet edhe një takim i Kryeministri të Kosovës, Albin Kurti me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata do të priten nga kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Pas bisedave të shumta mes Kurtit dhe Vuçiqit që përfunduan pa sukses, shtrohet pyetja a do të jetë ky edhe një takim i dështuar.

Cani Travel

Toby Vogel, ekspert i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE) nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit (DPC) në Bruksel, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, ka thënë se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi nën kujdesin e BE-së për një kohë të gjatë shërben si forum për menaxhimin e krizave.

„Dialogu ka qenë në gjendje të keqe për një kohë të gjatë, duke shërbyer vetëm si një forum për menaxhimin e krizave të prodhuara”, ka shkruar Vogeli, duke komentuar deklaratën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili ka thënë të hënën se nuk do të dorëzohet derisa Kosova dhe Serbia të arrijnë zgjidhje operative.

Vogeli e ka cilësuar “performancë” të BE-së thirrjen e këtij takimi: “Ky takim është ushtrim për të ndërtuar një trashëgimi dhe për të lejuar Borrellin e Lajçakun të deklarojnë se procesi vazhdon dhe jep rezultate. Vuçiqi dhe Kurti do të marrin broshura të Planit të Rritjes dhe lavdërime nga BE-ja – thjesht performancë”.