Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi dje rezolutën, sipas së cilës 11 korriku shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Gjatë publikimit të rezultateve të votimit, pamjet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, duke mbajtur flamuri serb në dorë, janë bërë virale në rrjetin social “X”.
84 shtete votuan për, 19 ishin kundër e 68 abstenuan.
Pas seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuçiq u tha gazetarëve se e “ka mbaruar karrierën këtu dhe se nuk do t’i falen shumë gjëra”.
“Kam mbyllur karrierën time këtu sonte. Shumë gjëra nuk do të më falin. Kjo ishte sikur gozhda në arkivolin tim. Unë bëra gjithçka, ata bënë gjithçka për të na poshtëruar dhe ne u ngjitëm në lartësi. Nuk mund të them se fituam, sepse kjo është procedura, por është e qartë për të gjithë se cili është rezultati”, tha ai në një fjalim para gazetarëve në Nju-Jork.“
Ndoshta ka përfunduar karriera e Vuçiqit në Nju-Jork, por jo edhe në Serbi. Pas shpalljes së rezultateve nga senca e OKB-se, në rrugët e Beogradit dhe në veri të Kosovës, dolën makina të shumta me flamuj të Serbisë, duke festuar edhe një ‚fitore’ të Serbisë. Në këtë mënyrë, ata shprehën solidaritetin e tyre me politikën e presidentit Vuçiq dhe prezantimin e tij në Nju-Jork.