Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi sot (24.11.2022) se ai nuk është i interesuar për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Ai i komentoi rekomandimet e Parlamentit Evropian që janë miratuar dje, në të cilat i janë vendosur kushte Serbisë për të përparuar në rrugën evropiane. Kushti i parë është që Serbia t’i vendosë sanksione Rusisë. Por, Vuçiq thotë se në rekomandimet e Parlamentit Evropian thuhet se duhet njohur edhe pavarësia e Kosovës.
„Ata po kërkojnë nga ne njohje të ndërsjellë. Edhe nëse i vendosim sanksione Rusisë, ata do të thoshin se është mirë kjo që bëre, por nesër do të dilnin me një rezolutë të re“, tha Vuçiq. „Unë kam mjaft përvojë, jam veteran politik. Nuk jam i interesuar për njohje të ndërsjellë me Prishtinën. Do të vazhdojmë të dëgjojmë gjithçka që ata thonë, por vendimet i marrim në interes të vendit tonë“, theksoi presidenit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.