Granit Xhaka dhe Andi Zeqiri janë në listën e kombëtares së Zvicrës për ndeshjen kundër Serbisë që zhvillohet më 12 tetor në Leskovc të Serbisë.
Xhaka është kapiten dhe lider i Zvicrës, ndërsa Zeqiri kthehet në përfaqësuesen zvicerane.
Në dy Botërorët e kaluar, Xhaka ka shkëlqyer në ndeshjet me kombëtaren e Serbisë.
Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, ka konfirmuar dje se Granit Xhaka do të paraqitet në ndeshjen kundër Serbisë në Leskovc. Në konferencën për gazetarë të enjten, Yakin tha se nuk është opsion mosparaqitja e Xhakës në ndeshjen e Ligës së Kombeve të UEFA-s ndaj serbëve.
“Mungesa e Xhakës në ndeshjen ndaj Serbisë nuk është opsion. Sigurisht se është një ndeshje emocionale, por jo gjithmonë duhet të mendojmë për histori të vjetra. Ne do të përqendrohemi te futbolli. Nuk mund të ndikojë asgjë tjetër. Me Granitin nuk e kemi diskutuar aspak këtë çështje”, ka thënë Yakin.