Filmi “Ninullë” i Adrian Asllanit fitoi çmimin “Filmi më i mirë” në Festivalin e Filmit “Movie Day” në Zvicër. Lajmin për këtë e bëri të ditur vetë Asllani përmes postimeve në rrjetet sociale
Më 22-23 mars 2024, u mbajt edicioni i 11-të i Festivalit të Filmit “Movie Day” në Romanshorn të Zvicrës. Në këtë festival konkurrojnë dy kategori të realizuesve të rinj të filmit. Në kategorinë A përfshihen filmat e krijuesve deri në moshën 16 vjeçe, ndërkaq në kategorinë B janë filmat e regjisorëve deri në moshën 25 vjeçe.
Në mesin e konkurruesve në kategorinë deri në moshën 25 vjeçe ishte edhe filmi «Ninullë» i Adrian Asllanit.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, anëtari i jurisë z. Aaron Asteria, tha se filmi I Asllanit ka ngjallur një debat të madh brenda jurisë, sepse është një film që ngërthen në vete pikëpamje nga balada e Goethes «Der Erlkönig» e deri te qasja e Frojdit për raportet prindër/fëmijë. Pas diskutimeve të shumta, juria, pa hezituar fare, vlerësoi se ky është filmi më i mirë».
Filmi “Ninullë” ka marrë deri tani pesë çmime në shtatë festivale ku është shfaqur.