28 vjet nga masakra e Srebrenicës

Bosnje dhe Hercegovina shënojnë sot (11.07.23) 28-vjetorin e masakrës së Srebrenicës.

Në këtë përvjetor, eshtrat e 30 viktima të gjetura së voni do të shtohen në Qendrën Përkujtimore Potoçari – ku ndodhen varret e mbi 6,600 viktimave të tjera.

Cani Travel

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.

Procesi i gjetjes së trupave zgjati me dekada dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë edhe më tutjë.

Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë. Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Përvjetori i masakrës së Srebrenicë u shënua sot edhe në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ende nuk ka drejtësi dhe paqe për Srebrenicën dhe Bosnje e Hercegovinën, duke kritikuar politikanët në rajon që mohojnë gjenocidin e ndodhur në Bosnje.