Pas dymbëdhjetë orë diskutimi, Kuvendi i Malit të Zi ka votuar mosbesimin e qeverisë së Dritan Abazoviqit. Kundër qeverisë së Abazoviqit votuan 50 deputetë ndërsa vetëm një votë ishte për. Mali i Zi tani e tutje do të ketë qeveri teknike të drejtuar nga kryeministri në detyrë Abazoviq, deri në zgjedhjen e qeverisë së re.
Iniciativa për rrëzimin e qeverisë së tij ka ardhur nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe një pjesë e partive në tjera. Më së shumti pakënaqësi ka shkaktuar vendimi i Abazoviqit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, njofton Diaspora Today.
Për rrëzimin votuan deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit, Demokratët e Aleksa Beçiqit, Partisë Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partisë Boshnjake, Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe Malit të Zi të Vërtet.
Ndërsa deputetët e Frontit Demokratik pro-Serb, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare URA të Abazoviqit nuk morën pjesë në votim.
Kryeministri Abazoviq u përpoq gjatë debateve të parandalonte rënien e Qeverisë së tij duke u ofruar partive opozitare që së bashu të bëjnë ndryshime në qeveri, por kjo nuk është pranuar. Në një moment, Abazoviq tha se ai po shkarkohet „vetëm se është shqiptar“ dhe shtoi se vendi së shpejti do të shkoi në zgjedhje
Në rrjetin Telegram Abazoiviqi ka shkruar se: “Lufta politike për momentin është mes Dritan Abazoviqit dhe Millo Gjukanoviqit”.
Ndërsa sipas tij, Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe është arsyeja kryesore e rrëzimit të qeverisë së tij.
„Marrëveshjen Themelore nuk e kam nënshkruar as për vota, as për mbështetje, as për qeveri, por për pajtimin e popullit të Malit të Zi”, tha gjatë seancës Abazoviq. bën të ditur Diaspora Today.
Ndërsa në fjalën e tij hyrëse, deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Danijel Zhivkoviq, tha se Qeveria e Abazoviqit ka braktisur agjendën evropiane dhe ka humbur një mundësi historike, “sepse kryeministri përmbushi detyrimet e tjera dhe pranoi të shantazhohet”.
Qeveria e Dritan Abazoviqit është zgjedhur më 28 prill të këtij viti me votat e DPS-së, URA-s, SDP-së, Partisë Popullore Socialiste pro-serbe dhe partive të popujve pakicë.
Dritan Abazoviq ishte kryeministri i parë i Malit të Zi, i cili i përket një komuniteti kombëtar pakicë. Ai e gjeti veten në krye të shtetit pas zgjedhjeve të vitit 2020, kur përfundoi qeverisja tridhjetëvjeçare e Partisë Demokratike të Socialistëve Milo Gjukanoviq. Në atë kohë, Lëvizja Civile URA e Abazoviqit ishte “pika e kthesës” për formimin e një qeverie të re në Mal të Zi.
Në qeverinë e mëparshme të Zdravko Krivokapiqit, ai ishte nënkryetar. Pas inicimit të rrëzimit të Qeverisë së Krivokapiqit në shkurt të këtij viti, Abazoviq u bë kryeministër i ri me ndihmën e Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit në fund të prillit.
Tani pritet të zhvillohen konsultimet për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi.
Nëse një grup i caktuar politik mbledh 41 nënshkrimet e deputetëve, ata do të mund t’i paraqesin kërkesë presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, për t’i dhënë mandatin për formimin e Qeverisë së tretë. Në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
Gjatë debateve ka pasur edhe akuza dhe kundërakuza të rënda.
Abazoviq ka shkaktuar reagime në veçanti pas akuzave ndaj Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), të presidentit Millo Gjukanoviq, ish-prokurorëve dhe disa kompanive e mediave se janë të lidhura me krimin. DPS iu përgjigj këtyre akuzave duke i quajtur si të pavërteta. Por mbetet fakti se shumica e deputetëve votuan kundër qeverisë së kryeministrit Abazoviq.