Temat kryesore të bisedimeve të dy presidentëve ishin problemet rajonale, përmirësimi i bashkëpunimit bilateral, Ukraina dhe energjia. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kërkoi ndihmën turke për furnizimin me energji elektrike gjatë dimrit. Por ai shprehu interesim edhe për blerjen e dronëve turq „Barjaktar“.
Ndërsa presidenti turk Erdogan theksoi se Turqia është e gatshme të mbështesë në çdo mënyrë arritjen e zgjidhjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për situatën në Ukrainë, Erdogan thotë se Turqia gjithmonë ka ndjekur një politikë ekuilibrimi mes Rusisë dhe Ukrainës dhe shtoi se në atë luftë nuk ka fitues, por ka shumë humbës. Në të njëjtën kohë, Erdogan nënvizoi se Rusia nuk duhet nënvlerësuar dhe se gabojnë të gjithë ata që e bëjnë këtë.
Bashkëpunimi ekonomik është vazhdimisht në rritje mes këtyre vendeve. Sipas Erdoganit, heqja e vizave dhe nënshkrimi i protokollit për hyrjen në të dy vendet vetëm me kartë identiteti, do të përmirësojë më tej bashkëpunimin e mirë mes këtyre dy vendeve. Erdogani shpreson se do të ketë një pajtim të të tre komuniteteve në Bosnjë-Hercegovinë dhe se Ballkani nuk mund të tolerojë më këtë lloj problemi.
Ekspertët serbë thonë se Turqia është shumë e interesuar për rajonin tonë. Turqia ka nga njëra anë ndikim të madh te myslimanët në Bosnjë-Hercegovinë dhe Sanxhak, por edhe tek shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. E nga ana tjetër, ajo ka ndërtuar një marrëdhënie të mirë me serbët në Serbi dhe Republika Srpska. Ndaj roli i saj mund të jetë me rëndësi. Por analistët mendojnë se SHBA dhe BE edhe më tej janë faktori kryesor në këtë dialog.
Sa i përket raporteve ekonomike Turqi-Serbi, kjo ishte në qendër të vëmendjes gjatë kësaj vizite. Vëllimi aktual i shkëmbimit të mallrave është rreth dy miliardë dollarë. Presidenti turk thotë se synimi është që së shpejti të arrijë në pesë miliardë dollarë. Kompanitë turke në Serbi punësojnë rreth 10.000 punëtorë. Turqia investon në ato pjesë të Serbisë ku askush tjetër nuk investon dhe kjo e bën edhe më të rëndësishme, sepse këto zona janë të prapambetura, thonë ekspertët.
Turqia luan një rol të rëndësishëm edhe në kohën e krizës aktuale me energji dhe gaz, në veçanti për funksionimin e të ashtuquajturës „Rrjedha turke apo e Ballkanit“.
Gjatë këtyre takimeve, siç u bë e ditur, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka treguar interesim edhe për blerjen e dronëve turq, Bajraktar, që konsiderohen ndër më modernët aktualisht në botë. Këto drone përdoren edhe në shumë zona dhe rajone të tjera të luftës dhe krizave. Por Vuçiqi nuk e shpjegoi pse ka nevojë për këto drona moderne.