Strategjia gjermane për zgjidhjen e krizës me mungesën e punëtorëve

Në Berlin është mbajtur një takim ku është trajtuar gjendja emergjente me mungesën e fuqisë punëtore në këtë vend. Një prej zgjidhjeve të mundshme është ardhja e punëtorëve të huaj. Përfaqësues të qeverisë, biznesit dhe shoqërisë civile kanë biseduar të mërkurën, me 7 shtator 2022, në Berlin mundësitë e daljes nga kriza e mungesës së fuqisë punëtore.

Ministri e punës, Hubertus Heil, pas takimit tha se koalicioni aktual ka vendosur t’i kundërvihet trendit gjithmonë në rritje të mungesës së fuqisë punëtore me kundërmasa në pesë fusha.

Cani Travel

Masa e parë do të jetë shkollimi. Koalicioni do të forcojë arsimin dual, i cili nënkupton shkollimin dhe punën paralelisht. Projekti i ri synon arsim më të orientuar nga profesionet. Ministrja gjermane e Arsimit do të investojë më shumë në shkolla në mënyrë që arsimi të bëhet në përputhje me kërkesat e tregut të punës.

Ministrja Bettina Stark-Watzinger, tha se edhe shkollat e mesme do të marrin tituj ekselence, sikurse prej disa vitesh praktikohet në Gjermani për shkollat e larta, njofton Diaspora Today.

Është e rëndësishme që kualifikimi i mesëm të trajtohet sikurse edhe kualifikimi universitar dhe jo në konkurrencë me të.“ Na nevojiten të dy në vendin tonë dhe të dy kanë të njëjtin rang.“

Ministri i punës, Heil nënvizoi se synimi i koalicionin qeveritar është që asnjë i ri të mos humbasë orientimin pas shkollës. Shkollimi është tepër me rëndësi sepse për momentin në Gjermani rreth 50.000 të rinj dalin nga shkollat pa i përfunduar dhe pa pasur ndonjë diplomë.

Masa e dytë janë trajnimet dhe kualifikimet shtesë. Sipas ministres gjermane të Arsimit, Stark-Watzinger, së shpejti do të prezantohet edhe një strategji kombëtare e trajnimeve dhe kualifikimeve profesionale.

Masa e tretë nënkupton rritjen e potencialeve të punës brenda vendit. Kjo nënkupton nga njëra anë, lehtësime për kushtet e punës së grave. Lehtësimet do të jenë tatimore, por edhe lehtësime për kombinim më të mire të jetës profesionale me atë familjare.

Masa e katërt e draftit të koalicionin qeveritar parashikon përmirësimin e cilësisë së punës, ku punëtori të jetë në qendër dhe ku të ketë kushte sa më të mira, në mënyrë që i punësuarit të jetë i shëndetshëm dhe motivuar. Kjo është një masë, që vlen sidomos për ato profesione që kanë kushte jo shumë të mira pune, si për shembull sektori i kujdesit geriatrik.

Dhe masa e pestë është ardhja e fuqisë punëtore të kualifikuar nga vende të tjera. Në vjeshtë, qeveria do të ofrojë një draft të ri të ligjit të migracionit. Ky ligj parashikon lehtësime në marrjen e vizitës së punës dhe marrjen e shtetësisë edhe pas tre vjetësh qëndrimi në Gjermani.

Sipas studimeve të Ministrisë së Punës, deri në vitin 2026 Gjermanisë do t’i mungojnë 240 000 punëtorë. Shkaku kryesor qëndron në plakjen e popullsisë, por edhe në ndryshimet strukturore të ekonomisë, digjitalizimi, dhe dekarbonizimi. Përderisa popullsia në Gjermani po jeton gjithnjë e më gjatë dhe po plaket për shkak të ndryshimeve demografike, në shumë vende mungojnë të rinjtë dhe fuqia punëtore. Ministri e Ekonomisë Robert Habeck pohon se mungesa e fuqisë punëtore po shndërrohet në një kërcënim serioz për mirëqenien në Gjermani.

„Në bashkëpunim me biznesin, sindikatat dhe politikanët duhet të punojmë që t’i përdorim dhe t’i nxisim potencialet fuqisë punëtore të kualifikuar, si të brendshme ashtu dhe të jashtme“, tha Habeck, njofton Diaspora Today.

Mangësi të punëtorëve të kualifikuar ka gati në të gjitha fushat, por më të prekurat janë informatika, tregtia, gastronomia, shëndetësia, industria e metalit dhe elektroteknika. Por të prekura janë edhe shumë profesione në ndërtim dhe në zejtari.