Çështja e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës do të diskutohet sot (10.11.2022) në mbledhjen e grupit punues të Këshillit Evropian të BE-së. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian, kanë shfaqur më parë mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave për Kosovën. Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave dhe ka rekomanduar që të hiqen vizat për qytetarët e saj. Mirëpo, siç u bë e ditur, në mbledhjen e fundit të grupit punues të vizave në Këshillin e BE-së, që u mbajt më 13 tetor, zyrtarët francezë kishin kërkuar që procesi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS. Pas kësaj mbledhjeje, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se një vendim për liberalizimin e viza për Kosovën pritet të merret nga mesi i nëntorit, apo fillimi i dhjetorit. Ajo shpreson që ky vendim të jetë pozitiv.