Katër persona janë arrestuar në Belgjikë për korrupsion të dyshuar brenda Parlamentit Evropian. Dyshohet se ata i ka korruptuar Katari, në këmbim të influencës politike.
Zyra e prokurorit të përgjithshëm belg po heton dyshime për korrupsion dhe shitje të ndikimit brenda Parlamentit Evropian nga një shtet i Gjirit. Në Bruksel u bënë gjithsej 16 bastisje dhe kontrolle. Katër persona u arrestuan. Hetimi ka të bëjë me një organizatë të dyshuar kriminale si dhe akuza për korrupsion dhe pastrim parash. Me gjasë e përfshirë edhe zëvendëspresidetja e PE, Eva Kaili, e cila sipas mediave duhet të jetë arrestuar.
Prokuroria nuk specifikoi se për cilin shtet bëhet fjalë, por disa media njoftojnë se në pyetje është Katari. Përfaqësuesit e Emiratit besohet se janë përpjekur të korruptojnë një socialist italian, anëtar të Parlamentit Evropian nga viti 2004 deri në vitin 2019.
Policia belge ka disa muaj që dyshon se një shtet i Gjirit tenton të ndikojë në vendimet politike dhe ekonomike të Parlamentit Evropian. Besohet se shuma të konsiderueshme parash ose dhurata në natyrë u janë shpërndarë personave në Parlament me pozicione politike ose strategjike.
Hetimi drejtohej mbi të gjitha kundër bashkëpunëtorëve e deputetëve. Por në mesin e atyre që u morën në pyetje ishte edhe një ish-deputet. Sipas prokurorisë, gjatë kontrolleve janë sekuestruar 600 mijë euro dhe celularë. Shërbimi për shtyp i Parlamentit Evropian nuk ka dashur t’i komentojë këto bastisje. Ai bëri të ditur se po bashkëpunohet plotësisht me policinë belge.