Bundestagu gjerman i ka dhënë dritën jehsile blerjes së dhjetëra avionëve luftarakë amerikanë F-35. Këto blerje do të jenë pjesë e forcimit të Bundeswehrit, që ka nisur pas pushtimit të pjesshëm të Ukrainës nga Rusia dhe vendimit që Gjermania të ndajë 100 miliardë euro për nevojat e ushtrisë.
Komisioni për buxhet i Parlamentit gjerman miratoi tetë projekte në vlerë të përgjithshme prej 13 miliardë eurosh, përfshirë edhe blerjen e avionëve luftarakë F-35, që është paraparë të kushtojnë 10 miliardë euro.
Për shkak të sfidave aktuale të sigurisë, përfshirë luftën e Rusisë kundër Ukrainës, bashkëpunimi i ngushtë në mes aleatëve është më i rëndësishëm se kurrë, tha Ambasada amerikane në Berlin, pas vendimit të autoriteteve gjermane.
“Programi gjerman i avionëve F-35 do të sigurojë vazhdimin e angazhimeve të Gjermanisë dhe do të garantojë mbrojtje më të fortë të NATO-s në të ardhmen”, tha Ambasada amerikane.
Ambasadorja Amy Gutmann shkroi në Twitter se partneriteti i mbrojtjes mes SHBA-së dhe Gjermanisë kurrë nuk ka qenë më i fortë. Ajo tha se ky partneritet është shtyllë kyçe e partneritetit transatlantik të NATO-s.
Të 35 avionët luftarakë pritet që të dorëzohen në Gjermani mes viteve 2026 dhe 2029. Në mars, Berlini kishte njoftuar se dëshiron të blejë avionët amerikanë, për të zëvendësuar flotën e saj të Tornadove, që janë avionë më të vjetër. Por, Ministria e Mbrojtjes kishte ngritur shqetësime për këtë plan, duke paralajmëruar se mund të kishte “vonesa dhe kosto shtesë”.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se lufta në Ukrainë e ka shtyrë Gjermaninë që ta bëjë këtë investim, që është investimi më i madh në ushtri që nga themelimi i saj pas Luftës së Dytë Botërore.