Gjuha paraqitet si një prej problemeve më të mëdha për bashkimet familjare në Gjermani dhe kjo vlenë për shumë vende të botës, shkruan Deutsche Welle.
4.755 kilometra i ndajnë Linda Wendt dhe Moro Diop (emrat janë ndryshuar nga redaksia). Kjo është distanca midis Gjermanisë dhe Senegalit ku jetojnë ata. „Por lidhja e dashurisë në distancë është shumë e vështirë. Më mungon gruaja ime çdo sekondë – çdo mëngjes, mesditë, natë“, thotë Moro Diop.
Në vitin 2020, Linda Wendt ishte me pushime në Mbour, në Senegalin perëndimor, ku jeton Moro Diop. „Ne u pamë, u takuam atje dhe u dashuruam marrëzisht”, thotë ajo, në një intervistë të përbashkët me Moron përmes rrjetit Zoom. Ata shikojnë njëri-tjetrin dhe buzëqeshin.
Ajo ka bërë praktikën profesionale në Senegal, ka shkuar atje gjatë pushimeve. Studentja Linda shkon në Senegal sa më shpesh që ka mundësi. Por ata janë martuar zyrtarisht dhe duan të jetojnë bashkë, e këtu fillojnë problemet serioze.
Martesa pa happy end
Që nga viti 2007, parakusht për marrjen e vizës për bashkëshortin për të ardhur në Gjermani është „njohja e thjeshtë e gjuhës gjermane”, një test gjuhësor në nivelin A1, që nënkupton të kuptuarit e gjuhës, të folurit, të lexuarit dhe të shkruarit. Moro Diop flet frëngjisht dhe gjuhën vendase Wolof. Prej vitesh ai punon si zejtar. Në fillim të vitit 2022, ai ka lënë punën e mëparshme dhe ka kaluar në kryeqytetin Dakar, ku për muaj të tërë ka ndjekur kurse të gjuhës gjermane në Institutin Goethe.
Gjatë kësaj kohe, Linda Wendt vazhdonte studimet dhe punonte njëkohësisht. Ajo financonte kurset e gjuhës që bënte Moro në Dakar, financonte edhe akomodimin e tij atje, mësimet private dhe kostot e internetit. Të gjitha shpenzimet për mësimin e gjuhës gjermane kanë shkuar deri tani në mbi 6000 euro.
Në vitin 2022, ata janë martuar zyrtarisht në qytetin Mbour, ku kanë bërë edhe një dasëm të madhe, së bashku me familjet dhe të ftuarit e shumtë. Ai kishte veshur edhe një fjongo me ngjyrat e flamurit gjerman, ndërsa ajo mbante një rrip mbi supe në ngjyrat e flamurit senegalez. Happy end? Jo akoma, sepse ata jetojnë të ndarë, me mijëra kilometra larg nga njëri-tjetrit. Lidhjen martesore e mbajnë përmes mesazheve dhe bisedave me video. „Sikur je pas xhamave, pa asnjë kontakt personal”, thotë Moro Diop.
Situata shumë e rëndë
Moro Diop ka 14 muaj që çdo ditë lexon fjalorin dhe gramatikën gjermane. Akoma vijon mësimet në Institutin Goethe, e dy herë në javë ndjek edhe mësime private tek një profesor në Universitetin e Dakarit. Ai përpiqet të mësojë gjuhën edhe në komunikimet e shpeshta me gruan e tij.
Por ka probleme me mësimin e gjuhës. Deri tani ka dështuar tre herë në provim. Ka mbledhur 27, 37 dhe 40 pikë, që do të thotë se çdo herë është përmirësuar. Por akoma nuk i ka mbërritur 60 pikë, sa kërkohen. „Testi i gjermanishtes është jashtëzakonisht stresues“, thotë bashkëshortja e shqetësuar.
Shkalla e lartë e dështimit në testet e gjuhës
Instituti Goethe bën të ditur se për testin A1 kërkohet: „Në provimin me shkrim dëgjon biseda të shkurtra nga jeta e përditshme, mesazhe telefonike private apo njoftime për adresat publike…Plotësoni formularë të thjeshtë dhe shkruani një tekst të shkurtër personal për këto situata”.
Por kandidatët që nuk jetojnë në Gjermani e kanë shumë të vështirë të përshkruajnë jetën e këtushme. Ndaj shumë dështojnë në provime. Në vitin 2021, tre të katërtat e pjesëmarrësve në Senegal kanë dështuar në testin e gjuhës A1, në nivelin e Institutit Goethe, që është rezultati më i keq midis 30 vendeve më të rëndësishme prej nga vjen numri më i madh i migrantëve në Gjermani. Në vitin 2022, më shumë se 50 për qind e aplikantëve nuk e kanë kaluar provimin. Vetëm në Etiopi, Meksikë dhe Gana janë rezultatet edhe më të këqija se në Senegal.
Planet e qeverisë në Gjermani
“Më shumë se 10.000 bashkëshortë dështojnë çdo vit në testet e kërkuara të gjuhës jashtë vendit dhe për këtë arsye nuk janë në gjendje të bashkohen me partnerët e tyre në Gjermani”. Në vitin 2022 partia opozitare e Majta ka kërkuar që testi për njohjen e gjuhës për bashkëshortët të bëhet pas ardhjes në Gjermani. „Vendi më i mirë për të mësuar gjermanisht është në Gjermani”, pohon e Majta.
Testet e gjuhës janë ndër shkaqet më të shpeshta edhe për refuzimin e vizave për bashkëshortët. Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, 8.000 deri në 10.000 aplikime për viza për bashkëshortët janë refuzuar ose tërhequr në vitet e fundit, pikërisht për këtë shkak.
Propozimi i të Majtës në Bundestag nuk ka kaluar. Por në marrëveshjen e koalicionit qeverisës të socialdemokratëve (SPD), Ekologjistëve dhe FDP thuhet: „Personat që vijnë në Gjermani me qëllim të bashkimit familjar, mund të sigurojnë çertifikatën e testit të gjuhës menjëherë pas mbërritjes në Gjermani.“ Kjo shkruan në marrëveshje, por akoma nuk është shndërruar në ligj.
Në dhjetor të vitit 2022 është miratuar vendimi për lehtësimin e bashkimit familjar, por vetëm për fuqinë e kualifikuar punëtore. Bashkëshortët e personave që kanë ardhur në Gjermani si punëtorë të kualifikuar mund të vijnë pa pasur testin e gjuhës. Deputetja e SPD, Gülistan Yüksel thotë se do të ketë lehtësime të tjera ligjore. Ndërsa Swenja Gerhard, pohon se ka edhe bashkëshortësi që kanë dështuar dhe njerëzit janë ndarë, për shkak të problemeve me bashkimet familjare. Gerhard ka kërkuar heqjen e testeve për bashkimet familjare. Të prekurit nga këto probleme ankohen për kurse të shtrenjta të gjuhës, probleme me mësimin e gjuhës gjermane dhe pengesa të shumta burokratike në ambasada.
Problemet me martesat me detyrim
Linda Wendt e përshkroi situatën e saj personale para më shumë se 20 deputetëve të Bundestagut nga partitë e koalicionit qeverisës: „Bashkëshorti im dhe unë jemi në stres të madh psikologjik.“ Disa deputetë të SPD dhe të Gjelbërve kanë premtuar ndryshime, por këto ndryshime akoma nuk janë miratuar. „Asgjë nga premtimet nuk është realizuar deri tani“, thotë Wendt e zhgënjyer. Tani ka premtime se kjo çështje do të trajtohet në Paketën e dytë të ligjeve për migracionin, e cila pritet të shqyrtohet në Bundestag në pjesën e dytë të këtij viti. Por edhe ky është vetëm një premtim, sepse nuk ka akoma data të sakta.
Martin Gassner-Herz nga partia liberale thotë se një nga arsyet e futjes së testit të gjuhës ka qenë parandalimi i „martesave të detyruara, martesave false apo martesave me marrëveshje”. Ky ishte shpjegimi i partive konservatore CDU dhe CSU në vitin 2007, kur është futur ky rregull. Sipas tyre, bashkëshortët që vijnë në Gjermani duhet të jenë në gjendje të komunikojnë me autoritetet pa ndihmën e partnerit të tyre. Por Bundesrati (Këshilli i Ministrave) ka konstatuar që në vitin 2015 se „nuk ka kurfarë dëshmie se ky test parandalon martesat me detyrim“, ndaj kjo „rregullore duhet të shfuqizohet.“ Gjuha mund të mësohet edhe pas ardhjes në Gjermani.
Rregullat absurde
Këto rregulla janë absurde, sepse shtetasit e të gjitha vendeve të BE-së mund të lëvizin të lirë dhe të bëjnë bashkimet familjare pa pasur teste. Pa teste mund të bëhet edhe bashkimi familjar i punëtorëve të kualifikuar, shkencëtarëve, sipërmarrësve të pavarur dhe personave tjerë të kualifikuar. Për këta persona nuk kërkohet njohja e gjuhës nga bashkëshortët. Në këtë mënyrë „bëhet edhe një diskriminim nacional“, thotë Swenja Gerhard. „Jam shumë e zemëruar“, pohon Linda Wendt, e cila shton se institucioni i martesës është i mbrojtur edhe me Kushtetutë, në nenin 6.
Ajo thotë se së bashku me Moron do të vazhdojnë betejën për bashkimin familjar, sepse ata duan të kenë edhe fëmijë. Por deri tani nuk ka ndonjë zgjidhje për të gjithë personat që duan të bëjnë bashkimet familjare.
LINK: https://www.dw.com/a-65271273
DW