Ministria e Shëndetësisësë Kosovës ka marrë përgjigje pozitive nga më shumë se 20 mjekë në diasporë për të bashkëpunuar me institucionet mjekësore në Kosovë. Ata do të kontribuojnë si trajnues të stafit vendor ose në reforma të sektorit, krahas punës që bëjnë në vendet evropiane, njofton RTK.
Ministria është tani në proces të përgatitjeve administrative e logjistike që të krijohen kushtet për angazhimin e profesionistëve shëndetësorë që janë të interesuar të bashkëpunojnë me institucionet në Kosovë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vlerësoi gatishmërinë e tyre për bashkëpunim dhe shtoi se ata kanë përvojë e kulturë pune në vendet ku operojnë. „Ajo që ne na duhet është trajnimi dhe edukimi i vazhdueshëm i profesionistëve tanë shëndetësorë”, tha Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë.
Për mundësi të bashkëpunimit në këtë nivel janë të gatshëm edhe mjekë të tjerë, anëtarë nga Federata e Mjekëve. “Gatishmëria është e padiskutueshme, por sa është e gatshme pala tjetër – institucionet shqiptare në Kosovë ose Shqipëri që t’i mirëpres të gjitha rekomandimet, reformat apo protokollet që i kemi të gatshme siç e kanë bërë vendet të tjera evropiane që e kanë reformuar sistemin shëndetësorë”, tha Aurora Donllenberg, kryetare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë.