Pas një pauze trevjeçare për shkak të koronës, sot (27.04.2023) hapet Panairi i Librit në Leipzig, ku do të prezantohen rreth 2.000 ekspozues nga 40 vende. Në fokus të manifestimit të sivjetmë do të jetë bashkëjetesa paqësore. Në këtë panairi që është i hapur deri më 30.prill priten rreth 130.000 vizitorë.
Kosova dhe Shqipëria marrin gjithashtu pjesë në Panairin e Librit në Lepzig. Kjo është hera e dytë që Kosova si shteti më i ri i Evropës është e pranishme në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore. Botuesit kosovarë do të prezantojnë veprat më të reja letrare, siç kishin bërë edhe në vitin 2019, kur u ftuan për herë të parë për ta përfaqësuar shtetin. Kosova përfaqësohet me më shumë se 100 botime të reja në këtë manifestim.
Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e programit promovues të projektit “Traduki” në panair, ku këtë vit vendet e Evropës Juglindore prezantojnë letërsinë dhe autorët e tyre. Në kuadër të këtij programi do të prezantohet, ndër të tjera, edhe libri i ri i gazetares dhe shkrimtares së njohur shqiptare, Lindita Arapi „Të Murosurat“, i cili u botua ditë më parë në gjermanisht me titull „Albanische Schwestern“. Në vitin 2011, romani i saj i parë “Vajzat me çelës në qafë” u vlerësua si Libri i Vitit në Shqipëri.
Ndërsa nga librat që prezantohen nga Kosova dhe për Kosovën veçojmë: Shpëtim Selmani „Libërthi i dashurisë“
27 prill, në ora 16:00 – 16:30; Janet Reineck “Një amerikane në Kosovë 1981-1997”, 29 prill, 11:30-12:30, Forum Weltweit, Salla: 4, Stenda: E406; Elisabeth Gowing & Robert Wilton „ No Man‘s Lands: tetë gra të jashtëzakonshme në historinë e Ballkanit“, 29 prill, 14:00-15:00 h, Café Europa, Salla: 4, Stenda: E406; Ag Apolloni „Kësulkuqja“, 29 prill, 16:00-16:30, Traduki Kafana, Salla: 4, Stenda: D407; Gani Jakupi “ Gjarpri me dy koka”, 30 prill, 11:30-12:30, Forum Weltweit, Salla: 4, Stenda: E406…