Mbi 20 gra ndërmarrëse nga Kosova, pjesë e projektit “Diaspora për Gratë Ndërmarrëse”, kanë mbërritur sot (28.04.2023) në Dyseldorf, ku do të kenë takime të rëndësishme gjatë dy ditëve të ardhshme me përfaqësuesit e bizneseve në landin Renania Veriore – Vestfalia (NRW). Kjo vizitë mbështetet nga USAID Compete Activity në Kosovë, Germin dhe Unioni i Bizneseve shqiptare-gjermane në Gjermani. Qëllimi i saj është lehtësimi i lidhjeve të bizneseve në pronësi /ose të menaxhuara nga gratë në Kosovë, me bizneset dhe profesionistët në mërgatë.
Gjatë ditës së sotme, gratë ndërmarrëse nga Kosova kanë vizituar Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë (IHK), ku kanë biseduar me autoritetet gjermane për shkëmbimin e infomrmacioneve dhe bashkëpunimin e mundshëm me kompanitë gjermane. E më pas kanë vizituar edhe kompaninë Kelmendi GmbH. Ndërsa nesër (29.04.2023) do të fokusohen në panele diskutimi në Dyseldorf, takime dhe rrjetëzim mes bizneseve të udhëhequra nga gratë në Kosovë dhe bizneseve të diasporës nga landi Renania Veriore – Vestfalia (NRW).