Gjermania dhe Franca bënë thirrje për zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe për të qetësuar situatën në veri të Kosovës. Komunat në veri të Kosovës gjendjen janë përfshirë prej një jave nga trazirat.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se ai dhe kancelari Olaf Scholz u kishin bërë thirrje presidentëve të Kosovës dhe Serbisë që t’i zhvillojnë zgjedhjet „sa më shpejt të jetë e mundur“ me një „detyrim“ nga ana e Kosovës dhe një „pjesëmarrje të qartë“ nga ana e Serbisë.
“Ajo që kërkuam nga të dyja palët është shumë e thjeshtë, organizimi sa më parë i zgjedhjeve të reja në këto katër komuna si angazhim nga ana e Kosovës, pjesëmarrje e qartë e partive serbe në këto zgjedhje dhe zgjidhje të shpejtë të çështjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga ana e Kosovës”, tha presidenti Macron. Ai tha se u ka kërkuar palëve që të qartësohen edhe rregullat që duhet për këto zgjedhje. Macron tha se gjatë javëve të ardhshme do të ketë vendim të qartë për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë gjë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë, presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kancelari Scholz nga ana e tij tha shkurt se “diskutimet me liderët lokalë ishin serioze dhe intensive“.
Pas takimit katërpalësh në kuadrin e samitit të Bashkimit Politik Evropian (EPG) në Moldavi, presidentja kosovare Vjosa Osman, tha se i kishte njoftuar bashkëbiseduesit e saj se banorët e komunave mund të kërkojnë zgjedhje të reja, nëse një numër i mjaftueshëm i tyre nënshkruajnë një peticion.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, nga ana e saj, konfirmoi se në takim me Macron dhe Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, i kanë bërë kërkesë për zgjedhje të reja në veri të Kosovës. Presidentja tha se „ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë, në bazë të ligjit të Kosovës për zgjedhjet lokale. Kjo nuk bëhet menjëherë por këto janë procedura ligjore që u mundësojnë qytetarëve të vendosin nëse duan të mbajnë zgjedhje.“
„Rreth 20 për qind në listat e votuesve mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin“, tha Presidentja Osmani. Sipas saj, Presidentit të Serbisë, iu kërkua “që të mos u bëjë presion qytetarëve lokalë në veri të Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhje”.
Presidentja Osmani dhe Presidenti Vuҫiq, me insistimin e Presidentit Macron dhe Kancelarin Scholz, u takua edhe me Presidentin serb Vuҫiq.
“Në fund të takimit me Macron dhe Scholz ata propozuan që të kishte edhe një diskutim joformal me presidentin e Serbisë, natyrisht në takim ishte edhe përfaqësuesit i Lartë i BE-së, Josep Borrell. E kishim një takim të përbashkët diku 10 minuta , ku edhe njëherë u dëshmua se Vuçiq nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe, por në fakt është burimi kryesor i jostabilitetit në gjithë rajonin tone”, tha Osmani në një intervistë për mediumin publik.
Në veri të Kosovës tash e një javë serbët lokal po protestojnë, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale. Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar në mënyrë masive nga komuniteti serb. Gjatë një përplajse të protestuesve me forcat paqeruajtëse KFOR, 30 ushtar të KFOR-it u lënduan. Për shkak të kësaj situate, NATO vendosi që të shtojë numrin e trupave për 700 sosh, ndërsa është e gatshme të dërgojë edhe më nëse shfaqet nevoja. DW