Ministria e Punëve të Jasthme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve që mos të udhëtojnë drejtë pikave kufitare në Jarinjë dhe në Merdare, për shkak që siç thotë MPJD, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova.
“Në territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe në Merdare, për shkak të protestave që po mbahen, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova. Nuk është i sigurt për momentin as kalimi i veturave”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Po ashtu, MPJD u thotë qytetarëve që nëse kanë hyrë tashmë në Serbi, atëherë t’i përdorin pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit.
“Nëse nuk keni hyrë tashmë në Serbi, ju lutemi, mos udhëtoni përmes Serbisë. Duke marrë parasysh faktin që janë në qarkullim shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës, ju lutemi të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Kjo thirrje e MPJD vjen pasi qytetarët serbë bllokuan mbrëmë rrugët në drejtim të pikave kufitare Jarinje e Merdare. Siç mësohet, ata nuk po lejojnë të kalojnë kamionët dhe autobusët nga Kosova që shkojnë nga pika e Jarinjës dhe Merdares. Këto veprime të serbëve vijnë pasi Kosova ka bllokuar hyrjen e mallrave dhe kamionëve serb në Kosovë për shkaqe sigurie pas kidnapimit të tre policëve kosovarë nga ana e Serbisë.