Filmi „I treturi“ i regjisorit Arben Thaçi u shfaq në Festivalin ndërkombëtar të filmit oriental, i cili u mbajt gjatë javës së kaluar (12-18 qershor 2023) në Gjenevë. Ky film është prodhim i Agjensisë së filmit të Maqedonisë së Veriut, Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Shqipërisë.
Publiku ndërkombëtar si dhe përfaqësues nga komuniteti shqiptar shikuan me shumë interesim filmin „I treturi“. Filmi është i frymëzuar nga romani “Të treturit e projanës” të Abdylaziz Islamit, dhe përfshin periudhën mes dy Luftërave Botërore deri në vitet e 90-ta. Fjala është për konfliktin mes ballistëve dhe partizanëve, por ai është trajtuar në një frymë më subjektive duke përfshirë kështu përjetime dhe histori të personazheve kryesore të filmit.
Rolet kryesore i interpretojnë: Kejdi Ademi, Sokol Monallari, Sotiraq Bratko, Enis Murati, Afrim Mucaj, Eva Alikaj, Sheqerie Buqaj. Regjisori dhe disa nga aktorët ishin prezent në shfaqjen e filmit në Gjenevë dhe morën fjalën para publikut, i cili i priti me duartrokitje. Regjisori Arben Thaçi tha se për të është privilegj që filmi i tij është pjesë e një festivali ndërkombëtar.