Në gjysmën e parë të vitit 2023, në qarkullim janë regjistruar më shumë para të falsifikuara sesa në 3 vitet e fundit, shkruan DW.
Sipas të dhënave nga Bundesbank, policia gjermane, shitësit me pakicë dhe bankat tërhoqën nga qarkullimi 26.690 kartëmonedha të falsifikuara midis janarit dhe qershorit të vitit 2023. Hera e fundit që u regjistrua një numër më i madh falsifikimesh ishte në gjysmën e parë të vitit 2020, kur në qarkullim janë kapur 34.118 kartëmonedha të falsifikuara.
Falsifikimi i dy kartëmonedhave më të vlefshme është rritur ndjeshëm në krahasim me gjysmën e dytë të vitit 2022. Në rastin e kartëmonedhave 200 euro në numrin e përgjithshëm të falsifikimit, ka një rritje prej 15 për qind – pas nëntë për qind në gjashtë muajt e mëparshëm. Ndërsa numri i kartëmonedhave të falsifikuara 500 euro në të njëjtën periudhë pothuajse u katërfishua, nga 554 në 2.178 copë. Kështu, kartëmonedha ngjyrë vjollcë, të cilën bankat qendrore të Eurosistemit nuk e kanë shtypur që nga fillimi i vitit 2019, ka shënuar një rritje të dukshme të falsifikimeve.
„Unë nuk do të flisja për ndonjë tendencë në këtë moment,“ tha anëtari i bordit të Bundesbank, Burkhard Balz në një deklaratë për agjencinë e lajmeve dpa. „Megjithatë, ne i ndjekim këto dukuri me shumë kujdes”.
Sipas të dhënave nga Bundesbank, kartëmonedha 50 euro është ende kartëmonedha më e falsifikuar, e cila përbën pothuajse 40 për qind të të gjitha falsifikimeve të parave në Gjermani. Ndërsa 20 për qind të falsifikimeve në gjysmën e parë të vitit ishin kartëmonedha 20 euro.