Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, ka njoftuar se Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit dhe se nuk ofron më siguri fizike për të si diplomat. Haxholli i bëri këto vlerësime në një reagim në Facebook.
“Dëshiroj ta ndaj edhe publikisht, që në shkelje flagrante të marrëveshjes së Brukselit, Serbia ka ndaluar së ofruari siguri fizike 24/7 për mua si zyrtar/diplomat, dhe poashtu nuk ofron as siguri mobile. Pavarësisht ankesave dhe kërkesave kjo praktikë po vazhdon. Çfardo që mund të më ndodh gjatë shërbimit tim në Serbi – mes tjerash – është përgjegjësi e drejtëpërdejtë e Serbisë!” ka shkruar ai.
Haxholli e ka vlerësuar këtë veprim si precedent të rrezikshëm.
“Sigurisht që këtij vendi nuk i konvenon ndonjë prezencë diplomatike e Republikës së Kosovës në Beograd, dhe aq më pak ngritja e statusit diplomatik siç parashihet sipas marrëveshjes për njohje de facto”, ka deklaruar ai teksa ka shtuar se Kosova nuk duhet ta pranojë “kamuflimin e veprimeve kundër zyrës nga institucionet e këtij vendi, me potencial rrezikshmërinë dhe ekspozimin fizik e ligjor”, ka shkruar Haxholli në Facebook.