Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, qëndron sot në Kosovë, në kuadër të vizitës së tij në disa shtete të rajonit.
Shefi i NATO-s do të takohet në Kosovë me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, dhe me komandantin e misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash.
Vizita e Stoltenbergut në Kosovë po zhvillohen në kohën e rritjes së tensioneve, por edhe paralajmërimeve për konflikte të të reja të mundshme.
Raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë tensionuar shumë pas sulmit të armatosur në veri të Kosovës nga një grup i terroristëve serbë.
Komuniteti ndërkombëtar së fundi ka shpeshtuar thirrjet që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe e Serbia të njohë de facto pavarësinë e Kosovës.
Disa ditë para vizitës së shefit të NATO-s në Kosovë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Rusia po synon të nxisë një konflikt në Ballkanin Perëndimor dhe me këtë paralajmërim është pajtuar edhe Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, tha se edhe BE e ndan shqetësimin e shprehur nga Zelensky se „Rusia do të tentojë të provokojë konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.