Sipas rezultateve të deritashme të zgjedhjeve parlamentare, lista „Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk duhet të ndalet“ ka fituar 47,1 për qind të votave, njoftoi sot në mëngjes Komisionit Republikan Zgjedhor i Serbisë.
Në vendin e dytë është lista opozitare “Serbia kundër dhunës” me 23,04 për qind të votave, kurse në vendin e tretë Partia Socialiste e Serbisë me 6,65 për qind të votave.
Kur është fjala për zgjedhje lokale, koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” kërkon anulimin e zgjedhjeve në Beograd, sepse pretendon se janë të sakta rezultatet zyrtare, sipas të cilave edhe në kryeqytet ka fituar partia e Presidentit të Serbisë – SNS.
“Duke pasur parasysh se më shumë se 40.000 persona pa vendbanim të ligjshëm u sollën në Beograd në mënyrë të organizuar për të mbështetur listën e SNS-së, e cila ndryshoi në mënyrë drastike vullnetin elektoral të qytetarëve të Beogradit, ne kërkojmë anulimin e zgjedhjeve në qytetin e Beogradit dhe përsëritjen e votimit për Kuvendin Komunal”, thuhet në njoftimin e koalicionit opozitar.
Opozita ftoi qytetarët që të dalin sot në protesta në Beograd, ndërsa SNS hodhi poshtë akuzat se ka ndikuar në vullnetin e qytetarëve gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit.
Sipas rezultateve të deritashme, Shaip Kamberi nga lista „Beteja politike e shqiptarëve vazhdon“ ka siguruar edhe një mandat në Parlamentin e Serbisë.