Ambasada gjermane në Kosovë, lëshoi sot vizën e fundit të rregullt Shengen për një qytetar të Kosovës. Në një postim në facebook, ambasada e cilësoi këtë moment historik, kurse ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde, shihet në foto duke i dorëzuar vizën shengen një qytetari të Kosovës.
“Duke festuar një moment historik! Sapo i dorëzova vizën e fundit të rregullt Shengen një shtetasi kosovar. Të emocionuar që kjo epokë po mbyllet më në fund, duke i dhënë rrugë liberalizimit të merituar të vizave në më pak se dy javë! Duke sjellë shtëpinë dhe diasporën shumë më afër së bashku”, ka shkruar Rohde.
Nga një janari i vitit 2024, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen. Kosova ishte vendi i fundit në Evropë për të cilin është aplikuar regjimi i vizave për në zonën Shengen.