Brenda 4 vjetëve, nga Kosova, janë larguar më shumë se 156 mijë banorë apo rreth 8.85 % e popullsisë së vendit. Këto janë të dhënat e fundit për gjendjen e emigrimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Në raportin e MPB, vlerësohet se deri në fund të vitit 2022 mbi 949 mijë banorë jetojnë jashtë vendit.
„Nëse merret si bazë popullsia që jetonte jashtë vendit më 1 prill 2011 (703,978 banorë vlerësohet se jetonin jashtë vendit), në fund të vitit 2022 vlerësohet se mbi 949,719 banorë apo 53.89 % e popullsisë së Kosovës jetonte jashtë vendit”, thuhet në këtë raport.
Në vitin 2022, nga shtetësia e Republikës së Kosovës kanë hequr dorë 4,792 persona, kurse 62 janë refuzuar për mosplotësimin e kritereve ligjore.
Numri i përgjithshëm i urdhërlargimeve të shtetasve kosovarë nga shtetet anëtare të BE-së dhe zonës Shengen në vitin 2022 sipas shteteve u regjistruan në: Francë 1,175 (27.6%), Slloveni 935 (22%), Kroaci 560 (13.2%), Zvicra 290 (6.8%), Itali 270 (6.3%) dhe shtete të tjera 1,025 (24.1%).