Xhamitë e Këlnit do të lejohen të transmetojnë ezanin e inçizuar më parë, apo ezanin me altoparlantë të premten pasdite. Të 35 xhamitë e qytetit do të lejohen të thërrasin ezanin në kohëzgjatje deri në pesë minuta , çdo të premte në ora 15.
Leja për thirrjen e ezanit është dhënë tani për tani për dy vite dhe thirrja duhet të jetë në përputhje me kufijtë e zërit. Xhamitë duhet të njoftojnë paraprakisht fqinjët në afërsi të godinës.
Këlni është një prej qyteteve me numrin më të madh të myslimanëve në Gjermani. Në këtë xhami Diaspora Today gjatë vizitës së ditëve të kaluara ka parë edhe besimtarë shqiptarë të fesë islame. Ndërsa Xhamia Qendrore e qytetit, më e madhja në Gjermani, ka qenë temë diskutimi për një kohë të gjatë, për shkak të kundërshtimeve të partive të ekstremit të djathtë.
Në Gjermani bien këmbanat e kishës së krishterë çdo ditë në shumicën e qyteteve dhe qytezave, duke filluar nga ora shtatë e mëngjesit. Ndërsa në vendet myslimane, ezani transmetohet zakonisht pesë herë në ditë. “Leja për transmetim është për mua një shenjë respekti,“ shkroi kryebashkiakja e Këlnit Henriette Reker në Twitter. Kjo tregon, sipas saj, se në Këln diversiteti vlerësohet dhe jetohet.