Parlamenti Evropian (PE) miratoi dje një rezolutë, ku bëhet fjala edhe për raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë dokument thuhet se besueshmëria e Bashkimit Evropian dëmtohet nga mungesa e suksesit në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
PE paralajmëron Kosovën dhe Serbinë edhe për pasoja nëse mungon zbatimi i marrëveshjeve të dialogut dhe i bën thirrje Bashkimit Evropian që ta ndryshojë qasjen në dialog, në mënyrë që të ketë përparim.
„Ftojmë BE-në që të miratojë një qasje të re në ndërmjetësimin mes palëve në mënyrë që të tejkalohet ngecja aktuale. Rikujtojmë se dështimi i këtij dialogu po ashtu do të reflektojë në rolin e BE-së si një faktor i besueshëm në politikën e jashtme“, theksohet në dokumentin e PE.
Parlamenti Evropian kërkon gjithashtu që të sillen para drejtësisë “të gjithë ata që kanë përgjegjësi për sulmet terroriste në veri të Kosovës”, përkatësisht në sulmin e Banjskës. Në vazhdim thuhet se nëse dëshmohet se Beogradi është i përfshirë në këto sulme, „atëherë duhet të ndërmerren masa kundër Qeverisë së Serbisë.“