Deklarata e fundit e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq rreth Kosovës shkaktoi shumë reagime negative të zyrtarëve të Kosovës, e tani reagoi edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier. Ai i siguroi qytetarët e Kosovës se „nuk duhet të shqetësohen për ndonjë kërcënim ndaj sigurisë së tyre”.
Duke folur ditë më parë në një manifestim në Beograd, presidenti serb Vuçiq akuzoi Perëndimin se po „synon poshtërimin e Serbisë dhe ta çojë përpara të preferuarën e saj Kosovën“.
„Nuk ka problem, i doni ata, nuk do të na keni neve. I doni ata dhe doni t’i ndihmoni ata? Ne do të mbijetojmë“, tha Vuçiq.
Ai tha gjithashtu se, siç u shpreh, „jemi mjaft të mësuar dhe mjaft të zgjuar dhe të guximshëm, dhe kemi mësuar mjaft, kemi fituar përvojë të mjaftueshme pas gjithë asaj çfarë na keni bërë në 25 vjetët e shkuara, për ta pritur çastin më të mirë të mundshëm dhe për të luftuar për mundësinë tonë. Këtë nuk kemi përse ta fshehim nga askush“, deklaroi Vuçiq
Duke reaguar ndaj këtyre pohimeve të presidentit serb, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffry Hovenier tha se përkushtimi i Amerikës për sigurinë e Kosovës, garancitë e sigurisë që kanë ofruar Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të forta si kurrë më parë.
„Ne flemë rehat sa i përket këtij kërcënimi. Mendojmë se NATO-ja është e përgatitur dhe e gatshme dhe mendoj se populli i Kosovës duhet të flejë rehat, sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prani të madhe këtu, që është e gatshme të bëjë gjënë e duhur”, tha ambasadori Hovenier.