Botuesit kosovarë marrin pjesë për herë të tretë në Panairin e Librit në Leipzig që është një nga manifestimet më prestigjioze në botë të fjalës së shkruar. Në këtë panair që mbahet nga 21 deri më 24 mars takohen lexues, autorë dhe botues nga mbarë bota.
Këtë vit Kosova përfaqësohet nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës „Pjetër Bogdani“.
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, i shoqëruar nga Shtrojerë Zogaj, Sekretare e Tretë, vizituan stenden e Kosovës, ku bashkëbiseduan me përfaqësues të institucioneve gjermane dhe ndërkombëtare, me autorë të ndryshëm, si dhe dashamirës të librit.
Shqipëria ka gjithashtu stendën e saj në në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Leipzig të Gjermanisë, në hapësirën e Tradukit.
Në ceremoninë e hapjes së stendës shqiptare ishin të pranishëm ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi, ambasadori i Kosovës, Faruk Ajeti, ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Ylber Sela.
Stenda e Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen e lexuesve të huaj.
Dje u mbajt takimi i parë me shkrimtaren dhe poeten Rita Petro për librin e saj “Vrima” në gjuhën gjermane.
Sot nën titullin “A Brave New world”, shkrimtarët e rinj, Suad Arilla, Brajan Sukaj dhe Dionis Prifti, do të diskutojnë mbi sfidat me të cilat ata përballen si shkrimtarë të rinj dhe mbi identitetin e kufijtë letrarë.