Shqipëria përballet sonte me sfidën më të madhe në Euro 2024 në ndeshjen kundër Spanjës, e cila zhvillohet në Dyseldorf në orën 21:00.
Spanja është kualifkuar tashmë për fazën e ardhshme të kampionatit si fituese e Grupit B. Ajo është edhe një ndër ekipet që ende nuk ka marrë asnjë gol.
Siç pritet, disa prej lojtarëve të rëndësishëm të kombëtares spanjolle nuk do të luajnë në ndeshjen kundër Shqipërisë. Kjo mund të jetë një mundësi për kuqezinjtë, të cilët ëndërrojnë të bëjnë histori duke arritur në fazën e eliminimit direkt për herë të parë në një Kampionat Evropian.
Por, duhet të dihet se fitorja kundër Spanjës është e vetmja rrugë që mund të sigurojë kualifikimin për kuqezinjtë.
Trajneri i Shqipërisë, Silvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti, në konferencën e djeshme për media kanë theksuar rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe përgatitjen e skuadrës për të dhënë maksimumin në fushë.
Shqipëria ka treguar shpirt luftarak dhe vendosmëri gjatë turneut në Euro 2024, teksa tifozët shqiptarë kanë qenë ndër më të zjarrtit në stadiumet gjermane.