Është viti i tretë më radhë që presidentja Vjosa Osmani nuk e ka falur asnjë të burgosur, shkruajnë mediat e Kosovës. Nga viti 2021 deri më sot, numri i kërkesave të parashtruara për falje nga ana e personave të dënuar është 469.
Nga Zyra e Presidencës nuk kanë kthyer përgjigje se për cilat arsye nuk është aprovuar asnjëra kërkesë, pavarësisht se në zyre i kanë shkuar qindra kërkesa nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
“Numri i kërkesave të parashtruara për falje nga ana e personave të dënuar, prej vitit 2021 deri më sot, është 469. Shërbimi Korrektues i Kosovës, nga viti 2021 deri më sot, nuk ka pranuar Dekret nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës për falje të personave të dënuar”, thuhet në përgjigjen e ShKK-së.
Avokati Ardian Bajraktari thotë se mosfalja e asnjë të burgosuri për kaq vite është dekurajim për këtë kategori. Ai ka thënë se falja si një kompetencë ekskluzive e institucionit të presidentes ndikon në masë të konsiderueshme në risocializimin e të burgosurve.
„Falja si një kompetencë ekskluzive e institucionit të presidentes ndikon në masë të konsiderueshme në sjelljen e mirë të burgosurve dhe natyrisht nënkupton edhe risocializim dhe riedukim të tyre. Është një inkurajim që gjatë mbajtjes së dënimit të burgosurit të kenë sjellje të mirë sepse në fund mund të përfitojnë nga ky mekanizëm”, tha Barjaktari.