Fokusi i ministerialit të parë të Procesit të Berlinit për këtë vit ishte në çështjet e sigurisë, migracionit dhe krimit të organizuar. Ministrat nga Ballkani Perëndimor dhe përfaqësues të lartë nga BE-ja, Komisioni Evropian dhe Britania e Madhe, ranë dakord në një deklaratë qëllimi që të intensifikojnë bashkëpunimin në këto fusha: „Ramë dakord të përmirësojmë shkëmbimin e të dhënave me vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e menaxhimit të migracionit dhe krimit të organizuar“, sqaroi në fund të takimit ministrja gjermane e punëve të Brendshme, Nancy Faeser. Konkretisht bëhet fjalë për regjistrimin biometrik të refugjatëve dhe emigrantëve të paligjshëm.
Faeser theksoi nevojën për përfshirjen e autoriteteve financiare dhe sociale në luftën kundër rrejteve kriminale, me qëllim ndjekjen e pasurive të tyre dhe ndërprerjen e rrjedhave të paligjshme të parave: „Ne do të zbatojmë metodën ‚Follow-the-Money‘ edhe në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që autoritetet e zbatimit të ligjit të mund të identifikojnë, bllokojnë dhe konfiskojnë pasuritë kriminale.“ Gjithashtu, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht e fokusuar në mbrojtjen e grave dhe fëmijëve, mbetet një prioritet i përbashkët: „Ky aktivitet kriminal duhet të ndalet. Ne duhet të mbrojmë veçanërisht viktimat, gratë dhe fëmijët,“ shtoi Faeser.
Migracioni i parregullt përmes Rrugës së Ballkanit ka rënë me 77% këtë vit, falë bashkëpunimit me Frontex. Sipas të dhënave, deri më tani janë regjistruar rreth 14,700 emigrantë të paligjshëm në BE përmes kësaj rruge. Ministrat shprehën shqetësim për mbylljen e kufijve dhe kërkuan zgjidhje të përbashkëta në kuadër të BE-së. Ministri grek, Nikos Panagiotopoulos, kërkoi një rregullim të përbashkët në kuadër evropian. Ai tha para gazetarëve, se në veprime të njëanshme, si vendosja e kontrolleve kufitare nga ana e Gjermanisë, qofshin këto edhe të përkohshme, nuk e zgjidhin problemin.
(DW)