Interesim i madh si rrallëherë për një libër politik gjerman. Libri i ish-kancelares Angela Merkel me titullin „Liria. Kujtime 1954-2021” pushton jo vetëm tregun gjerman të librave, por edhe atë të rreth 30 vendeve perëndimore dhe jo perëndimore si Kina.
Libri me kujtimet e ish-kancelares Merkel ka rreth 730 faqe dhe përfshin vitet 1954-2021, nga fëmijëria dhe rinia në ish-Republikën Demokratike Gjermane, ribashkimi gjerman, deri te karriera e saj politike në Republikën Federale të Gjermanisë deri në përfundimin e mandatit të saj 16-vjeçar si kancelare në vjeshtën e vitit 2021. Libri botohet edhe si audiolibër. 70-vjeçarja Merkel do të bëjë edhe një turne në qytetet e mëdha evropiane për të prezantuar librin e saj.
Më 2 dhjetor Merkeli do të prezantojë në Uashington librin e saj në prani të ish-presidentit amerikan Barack Obama.
Nga disa fragmente të publikuara tashmë nga libri në disa media gjermane si dhe nga disa intervista që ka dhënë ish-kancelarja Merkel, merret vesh se në kujtimet e saj ajo trajton edhe çështje aktuale dhe të debatueshme politike. Ajo tregon për shembull për përvojën e saj me presidentin amerikan Donald Trump (2017-2021), dominimin e burrave në politikën gjermane, pranimin e refugjatëve në Gjermani, gjë që ngjalli dhe vazhdon të shkaktojë debate të mëdha në Gjermani, politikën e saj ndaj Rusisë dhe Ukrainës, si dhe këndvështrimin e saj për Vladimir Putinin.
Siç është e zakonshme me libra të tillë, publikisht nuk dihet se me çfarë honorari do të marrë ish-kancelarja. Disa media në Gjermani kanë spekuluar ditët e fundit për këtë honorar. Gazeta „Kölner Stadt-Anzeiger“ shkruante, pa cituar burime konkrete, se bëhet fjalë për një „shumë të jashtëzakonshme dyshifrore në miliona“. Kurse gazeta „Tagesspiegel“ përmendi një shumë prej 12 milionë eurosh.
(DW)