Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi mori pjesë në manifestimin “Dita e Biznesit të Diasporës” në Hagë, organizuar nga “Business Match Kosova” (BMK), në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Holandë. Kjo ngjarje shërbeu si platformë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Holandës, duke promovuar potencialin ekonomik të vendit tonë dhe krijimin e lidhjeve të reja me mërgatën tonë, njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Dita e Biznesit të Diasporës” nuk është vetëm një mundësi për të informuar për potencialin ekonomik të Kosovës, por edhe një hapësirë për t’i bashkuar bizneset, investitorët dhe sipërmarrësit e diasporës me vendin tonë. Ky është një festim i krijimtarisë dhe bashkëpunimit që karakterizon popullin tonë“, tha Gashi.
Zëvendësministrja e jashtme shtoi se „diaspora jonë ka një rol thelbësor në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Përmes takimeve dhe platformave si kjo, ne krijojmë ura që forcojnë lidhjet mes Kosovës, Diasporës dhe komunitetit ndërkombëtar“.