Kryeministri Albin Kurti ka emëruar ministrin e ri të Shëndetësisë, ai është Rifat Latifi, kirurg në Qendrën Mjekësore, Westchester, New York.
Këtë vendim e publikoi sot në një konferencë për shtyp kryeministri Albin Kurti, i cili para gazetarëve doli së bashku me minsitrin e ri.
“Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës posa kam nënshkruar vendimin për ministrin e ri të Shëndetësisë. Ministri i ri i Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës do të jetë profesor doktor Rifat Latifi”, tha Kurti.
Sipas tij, Latifi ka kontribuar në vazhdimësi në promovimin e shëndetësisë në Kosovë.
“Ai erdhi pardje nga New Yorku në Prishtinë. Ai ka studiuar për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe pastaj ka përfunduar dy specializime, atë për kirurgji të përgjithshme dhe traumatologji e reanimacion në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përvoja e tij akademike dhe profesionale përfshinë qendra sptialore dhe universitete me emër në disa shtete federale të SHBA’ve”, tha ai.
Ministri i ri u bëri thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga virusi Corona. Ai premtoi një angazhim të madh në përmirësimin e gjendjes në këtë fushë.
Kurti dhe Latifi bën të ditur se qeveria do të angazhohen për ndërprerjen e procesit të largimit të mjekëve nga Kosova.