Yllka Gashi është shpërblyer mbrëmë në Spanjë me çmimin për aktoren më të mirë në Seminci – Valladolid International Film Festival, Spanjë, që është një nga festivalet më me renome dhe me një traditë mbi 66-vjeçare.
„Yllka Gashi përveç që është aktore profesioniste dhe shumë e talentuar, është bashkëpunëtore e jashtëzakonshme, e papritueshme e shumë e këndshme me punu me të“, shkruan regjisorja e filmit „Zgjoi“, Blerta Basholli.
Yllka ka portretizuar në mënyrë të jashtëzakonshme zonjën Fahrije Hoti në këtë vepër artistike. Ndërsa vet Yllka falënderoi të gjithë ata që e kanë vlerësuar rolin e saj si dhe ata që ia kanë mundësuar të realizojë këtë projekt shumë të suksesshëm.
“Do të përdor zërin tim sonte për të shprehur një ëndërr që unë si artiste kosovare dhe i gjithë populli im e kemi: Që vendet tona të bukura, Spanja dhe Kosova, së shpejti të vendosin raporte diplomatike dhe që Spanja ta njohë Kosovën”, tha ndër tjerash Yllka Gashi.
Ky është çmimi i dytë që ajo e merr për filmin ’Zgjoi’. Para publikut ajo mbajti një fjalim shumë të matur dhe me fjalë të përzgjedhura. Një dëshmi tjetër, se arti, muzia dhe sporti janë shndërruar së fundi në promotorët dhe ambasadorët më të suksesshëm të Kosovës në botën e jashtme.