Numërimi i votave të diasporës

KQZ shpjegon se kur do të shpallen rezultatet përfundimtare. Votimi ka qenë i mundur prej 15 shtator – 15 tetor 2021.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë se ata kanë pranuar rreth 5.700 pako të supozuara me fletëvotime. Pas hapjes është konstatuar se brenda ka pasur 10.934 zarfe me fletëvotime.

“Gjatë vlerësimit janë aprovuar 9.610 zarfe të individualizuara me fletëvotime. Ndërsa janë refuzuar 1.324 pasi që nuk janë në përputhje me kriteret ligjore. Më shumë se gjysma e tyre janë refuzuar pasi janë dërguar nga persona që nuk kanë aplikuar për regjistrim si votues jashtë Kosovës (614), apo janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues (200). Ka edhe raste kur pako me fletëvotime është dërguar më shumë se një herë nga persona të njëjtë (168)”, tha Elezi në konferencë për media.

Cani Travel

I pyetur se kur KQZ-ja do të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, Elezi u shpreh se kjo do të bëhet brenda dy-tre ditësh.

KQZ do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë të komunave pasi të numërohen edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta. Mendohet se kjo do të ndodhë të hënën, e më pas do të shpallen edhe rezultatet përfundimtare.