Në Austri janë tërhequr miliona shishe nga shitja për shkak se mund të kenë copëza metalike brenda. Probleme të mëdha me këtë produkt ka edhe në Vjenë. Në shpjegime thuhet se Coca-Cola në Austri kishte një defekt teknik në një fabrikë të shisheve, që me sa duket u zbulua vetëm vonë. Mediat njoftojnë se rreth 26 milionë shishe do të tërhiqen nga qarkullimi, e problem më i madh është që shumë prej tyre tashmë kanë përfunduar në shitje me pakicë, pra tek konsumatorët.
Kompania ka kumtuar se “nuk mund të përjashtohet që copa të vogla metali të jenë të pranishme në një numër shumë të kufizuar shishe PET 0,5 litra, për shkak të një gabimi teknik në prodhim”. ORF njofton se ndër të tjera është thyer një site dhe se nga kjo kanë mundur të bien në shishe copa të ndryshme. Ndaj kujdes, rekomandohet që të mos konsumoni këto produkte, për shkak të një rreziku të mundshëm për shëndetin.
Të prekura janë shishet plastike 0,5 litra të Coca-Cola, Coca-Cola Zero, Coca-Cola Zero Limon, Coca-Cola Zero Sugar, Zero Caffeine, Coca-Cola Light, Fanta Orange, Fanta Orange Zero, Fanta Lemon Zero, të cilat tani janë duke u tërhequr, e të prekura janë edhe Fanta Exotic Zero si dhe Sprite, Sprite Zero dhe MezzoMix.
Të gjitha këto kanë një kohëzgjatje të përdorimit midis 4 shkurtit dhe 12 prillit 2025. Ndaj shikoni me kujdes etiketat dhe nëse keni blerë këto prodhime, mund t’i ktheni menjëherë. Me rëndësi është të mos i përdorni në asnjë mënyrë. Kthimi është i mundur edhe pa faturë, thotë për ORF, zëdhënësi i Zyrës së Tregut të Vjenës, Alexander Hengl.