Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kancelari i Autrisë, Karl Nehammer, mbajtën edhe konferencën për media, pas takimit dypalësh, i cili ka zgjatur më shumë sesa që ishte përcaktuar në agjendë.
Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, foli edhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. I pyetur se si e shikon Austria këtë proces, cila mund të jetë ndihma e saj dhe nëse mund të pranohet plani franko-gjerman, kancelari Nehammer u shpreh se është me rëndësi që partnerët ndërkombëtarë, të lënë hapësirë, në mënyrë që dy shtetet të vendosin se sa larg duan të shkojnë me negociatat mes tyre.
“Nëse për çështje të caktuar, nuk gjëndet kompromis, Austria është e gatshme të ndihmojë për një çështje të caktuar”, tha kancelari Nehammer.
Ai u shpreh se kjo beson se është për shkak të historisë së Austrisë. “Kanë ndodhur shumë gabime historike dhe ne kemi nxjerrë mësimet tona nga to”, tha ai.
“Këtë përvojë historike, ne e ofrojmë si ndihmë në dialogn Kosovë-Serbi. Varet jo vetëm nga negociatorët që marrëveshja të jetë e suksesshme”, tha ai.
“Ne jemi aty si urë lidhëse e ndërtues urash, e do të jemi në dispozicion”.
Ai deklaroi se ka pasur diskutime edhe me presidentin e Serbisë dhe Austria është në kërkim të gjetjeve të zgjidhjeve të qëndrueshme.
Duke folur për prezëncën e trupave ushtarake austriake në kuadër të KFOR-it, kancelari Nehammer deklaroi se shtimin e numrit të tyre e ka kërkuar në takim, edhe kryeministri Kurti.
“Austria ka numrin më të madh të ushtarëve në KFOR, nga shtetet jashtë NATO-s”.
Ai deklaroi se Austria mbështetë sigurinë e Kosovës dhe është e gatshme të ofrojë trupa shtesë, nëse një gjë të tillë e kërkon NATO dhe KFOR-i.
“Por ne besojmë se të dy palët kanë mundësi të de-eskalojnë situatën”.
Nga ana e tij, kryeministri Albin Kurti u shpreh se gjatë vitit 2022, vendi i ballafaqua me vendosje të barrikadave, por të cilat i hoqën ata që i vendosën.
“Prapa barrikadave janë të njëjtit që i kanë vendosur, pasi këtë e kanë bërë në shenjë të frikës nga sundimi i së drejtës”.
Ai tha se ka kërkuar nga KFOR-i të ndërhyjë, por fatmirësisht situata është zgjidhur në mënyrë paqësore.
“Kemi shprehur interesim për më shumë ushtarë të KFOR-it, për shkak të 48 bazave ushtarake të Serbisë që i ka vendosur rreth Kosovës”, tha kryeministri Kurti.
“Prej tyre, 28 janë ushtarake e të tjerat quhën civile, por në to janë të përfshirë paramilitarët, përfshirë edhe ata të Wagnerit rus”.
Kurti rikujtoi ndikimin e madh rus në Serbi, aq sa edhe ambasadori i Federatës Ruse, ka vizituar e inspektuar forcat ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën.
Sa i përket planit franko-gjerman, kryeministri Kurti deklaroi se Kosova e ka pranuar këtë propozim.
“Ky propozim është bazë e mirë për të vazhduar më tej në negociata”, tha kryeministri Kurti.
“Jemi në momentin që të diskutojmë për një marrëveshje për normalizim të plotë marrëdhëniesh mes Kosovës e Serbisë’, u shpreh ai, duke shtuar se çështja e Asociacionit, mund të adresohet, por vetëm sipas Kushtetutës.
“Kushtetuta u ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe është hartuar nga ish presidenti finlandez, Ahtisari, i cili ka fituar edhe çmimin Nobel për paqe si dhe Albert Rohan”.
Kryeministri deklaroi se Kushtetuta nuk lejon Asociacion një etnik.
“Plani dhe Kushtetuta në fjalinë e parë, shkruan se Kosova është shoqëri multietnike”.
Kryeministri Albin Kurti u shpreh se Kosova është e gatshme për ofrim të kushteve të mira e të barabarta, për të gjitha komunitetet, por pa nënvlerësuar Kushtetutën e vendit.