Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, vendosi dje lule mbi varrin e Blerina Jasharit në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ai tha se askush “nuk do të na pengojë të ecim në rrugën e pajtimit, paqes, solidaritetit dhe drejtësisë”.
Blerina ishte 7-vjeçare kur u vra nga forcat serbe në vitin 1998.
Stojkoviq, shtetas i Serbisë, është avokat i politikanit opozitar në Serbi, Nikolla Sandulloviq, i cili u arrestua më 3 janar 2024, pak kohë pasi publikoi fotografi nga kompleksi memorial në Prekaz. Ai u arrestua nën dyshimet “se ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”. Ndërkohë ai u lirua, por iu konfiskua pasaporta.
Në fjalimin e tij para mediave, Stojkoviq tha se mesazhi i Prekazit është se “liria gjithmonë fiton” dhe se „askush nuk do të na pengojë të ecim në rrugën e pajtimit, paqes, solidaritetit dhe drejtësisë“.
Në një intervistë për RTV Dukagjini, Çedomir Stojkoviq, ka thënë se ai personalisht e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe se, sipas tij, një gjë të tillë duhet ta bëjë edhe shteti i tij, Serbia.
Ai konsideron se është në interes të Serbisë që ta njohë dhe ta ndihmojë Kosovën në rrugën e saj ndërkombëtare.
Stojkoviq theksoi se pavarësia e Kosovës është tashmë një fakt i kryer.