„Ballkani Perëndimor, Ukraina, Moldavia, e mbase edhe Gjeorgjia duhet të bëhen pjesë e BE-së“, tha kancelari gjerman Olaf Scholz në fjalimin e tij para Parlamentit Evropian me rastin e Ditës së Evropës më 9.maj. „Ne kemi nevojë për një Bashkim Evropian gjeopolitik, të zgjeruar dhe të reformuar, të hapur për të ardhmen“, theksoi Scholz.
Kancelari gjerman i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i mbajë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në BE.
“Evropa gjeopolitike duhet t’i mbajë premtimet e veta. Premtimet duhet të mbahen ndaj vendeve të Ballkanit, të cilave po u premtojmë anëtarësim tash e 20 vjet. Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë. Duhet të vazhdojnë reformat për integrim. Duhet të avancohet edhe procesi i negociatave me Maqedoninë e Veriut. Zgjerimi nuk duhet të jetë i vetmi motiv për reforma, por duhet të kihet parasysh“, tha kancelari gjerman.
Perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor është premtuar qysh në vitin 2003, kur përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së, të mbledhur në një samit në Selanik të Greqisë, kanë miratuar një deklaratë të përbashkët për këtë qëllim.