Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka pranuar një letër nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që përmban planin e tij pesëpikësh për uljen e tensioneve në veri. Mirëpo, zëdhënësi i BE-s, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se në Bruksel se po vazhdojnë të shqyrtohen masat e mundshme ndaj Kosovës, nëse ndërkohë nuk merren hapat e duhur.
“Deri më tani nuk kemi parë asnjë hap të menjëhershëm dhe vendimtar nga kryeministri Kurti. Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm dëshmojnë se përshkallëzimi po vazhdon dhe kjo shkon kundër interesave të Kosovës dhe të gjithë njerëzve në Kosovë”, tha Stano.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi dje (13.06.2023) se i ka dërguar kryediplomatit BE-së, Josep Borrell një plan prej pesë pikash, që sipas tij, do të ndihmonte në uljen e tensioneve në veri. Këtë plan, ai e ka diskutuar edhe me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it.
Stano tha se me shtetet anëtare të bllokut janë ndarë disa nga masat të cilat do të ndërmerren ndaj Kosovës, nëse sipas tij, Kurti nuk ndërmerr hapat adekuat dhe menjëherë të ulë tensionet në veri.